Televizioni amerikan “Fox News”, ka transmetuar direkt ndjekjen policore të një individi. Gjërat nuk do të ishin dramatike, nëse kamerat nuk do ta xhironin vetëvrasjen e papritur, të cilën në atë moment e kanë shkuar “vetëm” dy milionë vetë.
Në garën për "ekskluzivitetin" dhe dëshirën për të qenë i pari gjatë kësaj ndjekjeje, “Fox News” me kamerë nga helikopteri xhiroi tërë ngjarjen, duke e transmetuar direkt në televizorët e amerikanëve. Në një moment i arratisur u çorientua në vrapim, pastaj ia vuri vetes revolen në kokë. Redaktorëve nuk u ra ndërmend ta ndërpresin transmetimin. Ata shkuan më tutje, duke ua ofruar shikuesve “ekskluzivitetin” e vetëvrasjes.
Ndaj kësaj skene të tmerrshme reagoi spikeri Shepard Smith, i cili duke e kuptuar se çfarë do të ndodhte, filloi të bërtasë: "Ndaleni, ndaleni këtë”. Më vonë u vendosën reklamat, por atëherë ishte vonë.
Moderatori i zemëruar menjëherë u kërkoi falje shikuesve, duke thënë se skenat e tilla nuk e kanë vendin në televizion.
Sipas një deklarate të policisë, i arratisuri me ndihmën e një arme ka vjedhur një veturë të tipit “Dodge Caliber”. Gjatë ndjekjes ai ka shtënë tek policët, pastaj është ndalur në një rrugë, 113 kilometra nga kufiri me Kaliforninë. Kur e ka kuptuar se nuk ka më ku të ikë, ia mori vetes jetën.
"Përpjekjet për ta shpëtuar ishin pasuksesshme. Ai ka vdekur në vend. Identiteti i tij është ende i panjohur", kanë thënë nga policia. /Telegrafi/