Jeta private e Arbrit nuk ka qenë shumë në shënjestër, por duke qenë një nga protagonistët kryesorë të këtij edicioni, djaloshi kosovar gjithmonë ka qenë në shoqëri të femrave të bukura, të njohura e të panjohura. Me këtë hap, ai i ka dhënë tjetër drejtim shtypit rozë duke mos aluduar për ndonjë lidhje të tij, pasi çdo ditë ai fotografohej me femra të ndryshme.
Këtë radhë si duket i kemi rënë pikës dhe kemi zbuluar një lidhje të tij me një vajzë nga Peja, por që jeton në Prishtinë. Quhet Enisa dhe është rreth të 20-ave. Vajza pejane jeton në një apartament me qira në Prishtinë, por tani që i dashuri i saj ka fituar shumë lekë, me siguri do vendosin të bashkëjetojnë me lekët e Arbrit.
”Enisa është nga Peja por jeton në Prishtinë, njihen me Arbrin prej një kohe të gjatë, por pas daljes nga Big brother ata të dy janë lidhur dhe janë parë shpesh të përqafuar në ‘Prime club’ në Prishtinë. Enisa nuk punon por jeton në një apartament me qira në Prishtinë”, tregon për gazetën tonë një burim anonim nga Kosova.
Interesimi për fituesin e këtij edicioni të ”Big brother” ka qenë jashtëzakonisht i madh në media. Arbër Zeka ka zënë vend me shumë histori nga jeta e tij, nga shkathësia e talenti, por ende nuk është prekur jeta private e djaloshit kosovar që këtë vit fitoi një shumë të madhe parash. Fituesin e edicionit të sivjetëm të “Big Brother Albania 5”, e gjen me shoqëri nëpër lokale të ndryshme të Kosovës. Ai nuk ka ndryshuar shumë, por celulari i tij i thjeshtë nuk ndalon së rëni.
Të gjithë e telefonojnë dhe e urojnë për fitoren, përderisa ai vetë thotë se është dyfish i angazhuar pas daljes nga BB. “Angazhimet kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha, duke marrë parasysh faktin që interesimi i medieve për të ditur gjithçka rreth asaj shtëpie dhe gjithçka rreth lojës sime deri të fitimi i çmimit, ishte i madh. Mediat si në Prishtinë dhe në Tiranë gjithmonë më kanë telefonuar. Më kanë pritur jashtëzakonisht mirë, më kanë përkrahur tej mase, më urojnë për gjithçka që kam bërë brenda dhe kjo më bën të ndihem krenar”, thekson Arbëri gjatë një interviste për gazetën “Express”.
Miqtë dhe kolegët e punës gjithashtu kanë thënë se Arbri ka ngelur i njëjti si më përpara, kur ka punuar në Entin Statistikor të Kosovës. “Edhe pasi ka dalë nga ‘Big Brother Albania 5’, Arbri vazhdon të jetë i njëjti, pra nuk ka ndryshuar në kuptimin që të mos na flasë më pasi ka fituar çmimin. Nuk i është rritur mendja. Ai vazhdon të jetë i komunikueshëm, i shoqërueshëm, ashtu sikurse ka qenë edhe më parë”, ka theksuar më tej një koleg i tij.
Ndërsa duke komentuar qëndrimin brenda shtëpisë, ai ka thënë se duhet të mos humbësh origjinalitetin. “Vetë fakti që je i mbyllur me njerëz që nuk i ke njohur, me persona që nuk i njeh dhe në të njëjtën kohë i ke konkurrentë, atëherë kuptohet që është stresues. Je i rrethuar me qindra kamera dhe normalisht duhet të mendosh vazhdimisht që të mos humbësh origjinalitetin tënd. Jam futur me mendimin se nuk ka rëndësi nga vjen. Është origjinaliteti im dhe kam dëshmuar që jam lojtar i mirë.
Ka qenë dedikim për prindërit e mi dhe, pavarësisht momenteve të këqija që kam pasur, e kam përballuar presionin dhe kam ruajtur qetësinë. Nuk i kam dëgjuar paragjykimet”. Po çfarë do të bëjë në të ardhmen Arbri dhe cilat janë ambiciet e tij? “Është dëshirë e imja të jem pjesë e një mediumi dhe nëse vazhdoj menjëherë me televizion, besoj që mund të kem sukses. Nuk e di ç’do të ndodhë dhe nuk kam ofertë, por do të kërkoj vetë nëpër dyer të mediave dhe nëse është diçka e mirë, punë e mirë, do ta pranoj”, përfundon bisedën e tij fituesi i BB5, Arbër Zeka. PanoramaPlus