Pas afro një viti nga lajmi rreth angazhimit në film të Çiljeta Xhilagës dhe Bjordi Mezinit, publikohet trajleri jozyrtar i "Floorless". Këngëtarja Xhilaga dhe ish banori i "Big Brother Albania", Bjordi, ishin përzgjedhur nga regjisori i ri Jetmir Pjetërnikaj, për të aktruar në filmin “Floorless”, të xhiruar në Itali.
Bëhet fjalë për një film me metrazh ta gjatë, një gjini shumë të vështirë siç është trilleri. Në lojë janë shtatë personazhe të cilët që në fillim të filmit paraqiten në jetët e tyre, më saktë duke shkuar secili për hesap të vet në të njëjtin supermarket, por që janë të panjohur për njëri-tjetrin. Këtu një punëtor mirëmbajtjeje i supermarketit, me sa duket me probleme mendore apo i mbingarkuar me dëshira paksa të çuditshme, vendosë të bëjë një rreng për një grup blerësish që do gjendeshin brenda një ashensori.
Dhe janë pikërisht këto shtatë personazhe që gjenden në këtë ashensor, i cili në një moment të caktuar bllokohet me dashje nga punëtori. Brenda kësaj “kutie” të vogël dhe ngulgatëse zhvillohet gjithë ngjarja e filmit, e cila përfundon me një vrasje.
Çiljeta në film ka rolin e një baristeje, ajo është shtatzënë, diku në muajt e fundit dhe është një nga personazhet që gjendet e mbyllur në ashensor. Këngëtarja ka luajtuar edhe herë të tjera role sekondare, si p.sh. tek filmi “Ishte kohë për dashuri”, por mbase kësaj here roli i saj do është më sfidues, pasi bëhet fjalë për një triller psikologjik dhe aktorët janë më së shumti italianë, por edhe personazhet duhet të flasin në italisht.
Ndërsa Bjordi, që luan rolin e një djali me autizëm, duhet ta ketë pasur të natyrshme përshtatjen në film, për arsye të njohjes së gjuhës dhe ambientit, pasi ka kaluar rreth 20 vite të jetës së tij në Itali, ndërkohë që pasioni për filmin i shemb çdo pengesë.
Akoma nuk dihet data e saktë e shfaqjes së filmit, ndërsa trajleri jozyrtar i publikuar këto ditë, jep një pasqyrë rreth asaj se si do të duket filmi.