Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thënë se ai nuk brengoset se çfarë mendojnë njerëzit për të, përderisa grupit të tij i pëlqen puna që bën.
Ish-bosi i Interit ka zbuluar se ai ka marrë kritika të ashpra viteve të fundit për shkak të sjelljeve provokative, por 49 vjeçari thotë se asnjëherë nuk i kanë interesuar mendimet e njerëzve jashtë klubit.
“Kur nuk silleni sikurse të tjerët, ju krijoni një ndjenjë negative te të tjerët, por një ndjenjë pozitive tek grupi juaj. Kur jeni një lider, nuk duhet ta harroni këtë. Unë nuk brengosem çfarë thonë njerëzit”, ka theksuar Mourinho për Marca
Më tej trajneri kontravers reflektoi edhe në dashurinë që kanë ish-lojtarët e tij për të dhe lidhjet e forta mes tyre.
“Kur them gjithmonë, mendoj njëmend gjithmonë. Nuk mund të them se lojtarët që i kam pasur te Chelsea, Porto dhe Interi janë ish-lojtarët e mi, ata vazhdojnë të jenë lojtarët e mi. Dhe ata nuk flasin për ish-bosin e tyre, ata vazhdojnë të thonë: ‘Ti je bosi’. Gjithmonë do të jemi të lidhur”, përfundoi Mourinho.